Bajrami: Kosova në krizë të vazhdueshme nga keqqeverisja e Albin Kurti
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se vendi ndodhet në një krizë të thellë dhe të zgjatur, jo vetëm për çështjen e presidentit, por si pasojë e, sipas saj, keqqeverisjes disa vjeçare.
Bajrami ka deklaruar se Kurti nuk synon të qeverisë me përgjegjësi, por të mbajë pushtetin përmes formave që, sipas saj, shmangin llogaridhënien. Ajo ka kritikuar edhe ofertën e fundit politike drejtuar LDK-së duke e cilësuar si presion dhe jo kompromis, pasi përfshinte poste qeveritare me kushtin që çështja e presidentit të mbetej nën kontrollin e kryeministrit.
Sipas saj, kjo qasje nuk synon zgjidhjen e krizës, por menaxhimin dhe kontrollin e saj për interesa politike. Bajrami ka përmendur gjithashtu sfidat ekonomike me të cilat përballen qytetarët, përfshirë rritjen e çmimeve, vështirësitë për bizneset dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se qytetarët nuk jetojnë me “opsione politike”, por me pasojat konkrete të krizave të njëpasnjëshme duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga qeveria. /Kosova.info/
