Bajrami: Qeveria po përgatit “pakon zgjedhore”, jo masa për krizën ekonomike
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur alarmin për gjendjen ekonomike në vend duke kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë ndaj zhvillimeve globale dhe rritjes së çmimeve.
Ajo theksoi se, ndërkohë që revista prestigjioze The Economist paralajmëron për një fazë të rrezikshme të ekonomisë globale, institucionet në Kosovë, sipas saj, po fokusohen në kalkulime politike dhe zgjedhore.
Sipas Bajramit, rritja e çmimeve të naftës deri në 63% brenda një muaji dhe shtrenjtimi i energjisë në nivel global po rrisin ndjeshëm kostot për bizneset duke i futur ato në pasiguri. Ajo kritikoi faktin se, ndryshe nga vendet e tjera që po ndërmarrin masa mbrojtëse, Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar politika fiskale mbështetëse dhe as strategji për sektorin e energjisë.
Deputetja shtoi se inflacioni prej 6.7% në Kosovë trajtohet me indiferencë, ndërkohë që në Eurozonë nivele shumë më të ulëta konsiderohen alarm. Sipas saj, mungesa e mbështetjes për prodhuesit vendorë dhe varësia nga importi po dëmtojnë rëndë ekonominë e brendshme.
Ajo kritikoi edhe idenë e vendosjes së marzhave të fitimit për bizneset duke e cilësuar si ndërhyrje të gabuar që nuk adreson kostot reale me të cilat përballen kompanitë.
Bajrami ngriti shqetësimin se kriza ekonomike po transferohet te qytetarët përmes rritjes së çmimeve, ndërsa Qeveria, sipas saj, po qëndron pasive. Ajo akuzoi ekzekutivin se është duke përgatitur një pako prej 200 milionë eurosh për qëllime zgjedhore dhe jo për zhvillim ekonomik.
Në fund, Bajrami theksoi se Kosova vazhdon të përballet me mungesë të kapaciteteve energjetike dhe prodhuese, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në rreth 6 miliardë euro duke paralajmëruar se pa investime dhe prodhim vendor, vendi nuk mund të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm. /Kosova.info/
