Hadergjonaj: Si ish-pjesëtar i UÇK-së, krenar për FSK-në – LDK voton pro misionit në Gaza

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, ka mbështetur dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision ndërkombëtar në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Gaza duke e cilësuar këtë si një vendim me rëndësi të veçantë për shtetin.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Hadergjonaj theksoi se, si një nga protagonistët e zhvillimeve që nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e deri te transformimi në FSK, ai ndjen krenari të veçantë për ushtrinë e vendit.

“Si një nga ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit nga UÇK-ja, në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës e deri te FSK-ja, asnjëherë nuk kam pushuar së admiruari ushtrinë tonë”, u shpreh ai.

Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ai vlerësoi lart profesionalizmin dhe përkushtimin e FSK-së ndër vite duke theksuar se ajo është ndërtuar mbi sakrificë dhe standarde të avancuara.

Ai në emër të LDK-së kërkoi sjelljen në Kuvendin e Kosovës për miratim marrëveshjen për Bordin e Paqes, prej nga ka derivuar edhe vendimi për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza.

Hadergjonaj nënvizoi se kontingjenti i FSK-së është i përgatitur sipas standardeve ndërkombëtare dhe i gatshëm për të kontribuar në misione paqeruajtëse, ndërsa kërkoi nga institucionet që të sigurojnë mbështetje të plotë për ushtarët dhe familjet e tyre.

“Kërkojmë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbështetje të plotë për personelin tonë në aspektin administrativ, operacional, logjistik, shëndetësor dhe financiar para dhe gjatë përfundimit të këtij misioni”, tha deputeti i LDK-së.

Ai theksoi se pjesëmarrja në këtë mision është një moment i rëndësishëm për Kosovën, pasi përveç kontributit në paqen globale, forcon edhe subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.

Në fund, ai bëri të ditur se Grupi Parlamentar i LDK-së do të votojë pro këtij vendimi. /Kosova.info/

Go to TOP