Bajrami: Sigurimet shëndetësore rrezikojnë të bëhen barrë pa shërbime të plota
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime lidhur me zbatimin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë duke pyetur nëse ato përbëjnë përmirësim real apo një barrë të re financiare për qytetarët dhe bizneset.
Sipas saj, ligji parasheh që pagesa prej 3.5% nga punëtorët dhe 3.5% nga punëdhënësit të fillojë menjëherë, ndërsa paketa e plotë e shërbimeve shëndetësore do të kompletohet vetëm pas pesë vitesh.
“Qytetarët do të paguajnë çdo muaj për shëndetin e tyre, por në momentin kur kanë nevojë, sistemi ende nuk do të jetë plotësisht funksional”, ka theksuar Bajrami.
Ajo ka propozuar që Qeveria të financojë për 12 muaj shërbimet e ofruara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, deri në funksionalizimin e plotë të paketës së shërbimeve, në mënyrë që të shmanget ngarkesa e menjëhershme mbi punëtorët, pensionistët, të vetëpunësuarit dhe bizneset. /Kosova.info/
