Abdixhiku për Agim Ramadanin: Figura që bashkoi artistin dhe luftëtarin në një ideal të vetëm për liri

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Agim Ramadani duke e cilësuar si një figurë unike që bashkoi ndjeshmërinë artistike me vendosmërinë e luftëtarit.

Abdixhiku theksoi se Ramadani ishte një personalitet që nuk mund të përkufizohet në një dimension të vetëm, pasi në të ndërthureshin dy botë që rrallë takohen. Sipas tij, ai e përjetonte jetën thellë dhe e shihte lirinë si krijim dhe dritë duke mos u tërhequr asnjëherë përballë padrejtësive.

“Kur kjo formë iu mohua, ai nuk u tërhoq. U ngrit,” theksoi Abdixhiku duke shtuar se arma në dorën e Ramadanit nuk ishte zgjedhje e parë, por një domosdoshmëri përballë robërisë.

Ai kujtoi gjithashtu se nofka “Katana” për Ramadanin nuk ishte rastësi, por pasqyrim i një natyre të qartë dhe të vendosur, që vepronte me bindje dhe qartësi për idealin e lirisë.

Në fund, Abdixhiku vlerësoi se figura e Agim Ramadanit mbetet një simbol i pandashëm i lirisë duke theksuar se ai nuk është vetëm pjesë e historisë, por edhe e vetë kuptimit që shoqëria i jep lirisë sot.

“Lavdi e nderime të përjetshme për Agim Ramadanin,” përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP