Blegtorët e Rahovecit kërkojnë mbështetje për kostot e prodhimit

Blegtorët e Komunës së Rahovecit kërkojnë mbështetje nga institucionet lokale dhe qendrore, me qëllim që t`i kapërcejnë vështirësitë e shkaktuara nga shtrenjtimi i karburanteve dhe kostove të tjera në tregun vendor, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e shpenzimeve të prodhimit dhe stabilitetin e biznesit të tyre.

Baki Gashi nga Bratatini i Rahovecit është një ndër blegtorët më të mëdhenj të kësaj komune. Ai e nisi biznesin familjar me një numër të vogël lopësh qumështore para 19 vitesh, ndërsa tani ka rreth 90 krerë gjedhë.

Sipas Gashit, rritja e çmimit të derivateve dhe e çmimeve të tjera po ndikon ndjeshëm në kostot e prodhimit. Ai thekson se subvencionet nga ministria janë të rëndësishme dhe kanë ndihmuar në mbajtjen e qëndrueshmërisë së biznesit të tij.

“Subvencionit janë si një infuzion tek një i sëmurë veç për ta shtyrë një kohë, sektori i bujqësisë është ndër sektorët më të vështirë, më të rënda, së pari ç’do rritje e çmimeve e kap sektorin e bujqësisë. Tash me mbjelljet pranverore, unë me çmimin që ka qenë , kam mundur me kaluar me 250 euro naftë në ditë, kurse tani më duhet afër 400 euro me shpenzuar në të njëjtën sipërfaqe”, ka thënë Gashi.

Ky fermer ka të punësuar dy punëtorë dhe thekson se importi i lartë i qumështit nga vendet e huaja po dëmton prodhimin vendas, duke e bërë konkurrencën më të vështirë për fermerët lokalë.

” Konkretisht qumështi nga shtete të tjera të balancohet me tonin, jo me hy lloj lloj qumështi qe vjen nga shtete të tjera, kurse ne tonin e kemi me çmim shumë të ulët e pagesat janë mbrapa shumë. Një pjesë e TVSH dhe akcizës mu hequr sidomos për këtë periudhë të rritjes së çmimit të naftës”, ka shtuar ai.

Drejtori i bujqësisë në komunën e Rahovecit Behar Thaqi, thotë se si komunë, kanë arritur vetëm ta bëjnë vaksinimin e bagëtive.

“Ne kemi arrit kryesisht tek blegtoria të vaksinojmë bagëtitë e trasha dhe të imta, kemi rreth 2500 bagëti të trasha, të cilat i kemi vaksinuar gjatë muajit shkurt dhe mars, tash në javën e tretë të muajit prill kemi me filluar vaksinimin e deleve dhe dhive, kryesisht rreth 7 mijë bagëti të imta”, ka thënë Thaqi.

Thaqi shton se ka kapacitete të mjaftueshme për mbarështimin e bagëtive.

“Ka rreth 70 ferma që kanë mbi 5 krerë lopë qumështore, ka edhe ferma tjera që merret me rritjen e bikave. Rahoveci ka kapacitet dhe siguron në vit rreth 4 milion litra qumësht ën vit”, ka shtuar Thaqi.

Tregu i mishit, qumështit dhe produkteve të tjera blegtorale nuk është vështirë për t’u siguruar, por blegtorët kërkojnë që të balancohet prodhimi vendor me kërkesat e tregut vendor.


Go to TOP