Pingpong: Kanë filluar garat ekipore në ligat për të rriturit
Të dielën janë zhvilluar ndeshjet e javës së parë xhirot 1 dhe 2 në të gjitha ligat për të rritur, duke shënuar nisjen e sezonit të ri garues.
Në Superligën e femrave, dy xhirot e para kanë sjellë ndryshime në renditje krahasuar me sezonet e kaluara. Liria dhe Gjilani F kryesojnë tabelën me nga dy fitore. Ahmet Hoxha F dhe Vushtrria kanë nga një fitore dhe një humbje, ndërsa Prishtina F dhe Drita F ndodhen në fund të tabelës pa fitore.
Në Superligën e meshkujve, tri skuadra e kanë nisur sezonin me performancë të plotë. Lidhja e Prizrenit dhe Liria kanë regjistruar nga dy fitore me rezultat maksimal 4:0, ndërsa dy fitore ka arritur edhe Dardania. Prishtina dhe Pripingu kanë nga një fitore dhe një humbje, ndërsa skuadrat e reja në ligë nuk kanë arritur të regjistrojnë fitore në dy xhirot e para.
Në Ligën e Parë të meshkujve, tri skuadra kanë nisur sezonin me nga dy fitore: Ahmet Hoxha MK, Gani Maloku dhe Ponte Prizreni. Vushtrria dhe TTC Ferizaj kanë regjistruar nga një fitore dhe një humbje, ndërsa ekipet e tjera nuk kanë arritur të sigurojnë fitore në dy xhirot e para.
Në Ligën e Parë të femrave, disa ndeshje janë regjistruar me rezultat zyrtar për shkak të mungesës së dy skuadrave në ndeshjet hapëse. Istogu, Juniku, Shkolla Ahmet Hoxha F dhe Gani Maloku kanë arritur nga dy fitore dhe kryesojnë renditjen pas dy xhirove të para.
Në Ligën e Dytë A të meshkujve, katër skuadra kanë nisur sezonin me rezultate maksimale: Drita M, Skenderaj, Kalaja Prizren dhe Ulpiana, të cilat kanë regjistruar nga dy fitore pa humbje setesh.
Në Ligën e Dytë B të meshkujve, Llapusha, Istogu, Maestro dhe Dukagjini kanë nisur sezonin me fitore, ndërsa disa ekipe ende nuk kanë zhvilluar të gjitha ndeshjet e parapara.
Sezoni i ri ka nisur me ritëm të lartë konkurrues në të gjitha ligat, ndërsa xhirot në vazhdim pritet të qartësojnë më tej renditjen dhe objektivat e skuadrave. /Kosova.info/
