Gashi: Ndërrimi masiv i matësve të energjisë mund të fshehë vjedhjet dhe të rrisë tarifat

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pas raportimeve të subjektit të tij politik për vjedhje të energjisë elektrike përmes orëmatësve të KEDS duke ngritur shqetësime për zhvillimet e fundit në terren.

Sipas Gashit, ndërrimet masive të matësve të energjisë që kanë nisur së fundmi mund të shërbejnë për të pamundësuar evidentimin e vjedhjeve ekzistuese. Ai paralajmëron se njëkohësisht ekziston rreziku që instalimi i matësve të rinj të përkthehet në barrë financiare për qytetarët përmes rritjes së tarifave të energjisë.

Ai ka paraqitur një skenar hipotetik, ku ndërrimi i rreth 100 mijë matësve me një kosto prej 200 euro për njësi do të arrinte vlerën e rreth 20 milionë eurove. Sipas tij, kjo shumë mund të përfshihet si shpenzim në kërkesat për rritje të çmimeve të energjisë duke bërë që qytetarët të paguajnë për një proces që ai e cilëson si të dyshimtë.

Gashi i ka bërë thirrje ZRRE që të reagojë menjëherë për të ndalur këtë praktikë dhe për të garantuar mbrojtjen e interesit publik.

Ai ka kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse duke theksuar se qytetarët nuk duhet të përballen me kosto të fshehura apo manipulime në sektorin e energjisë. /Kosova.info/


Go to TOP