IKD: Kryesia e Kuvendit ka shkelur ligjin me refuzimin për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Kuvendi i Republikës së Kosovës lidhur me procesin e përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm duke i cilësuar ato si shkelje të hapur të ligjit dhe vendimmarrje arbitrare.

Sipas IKD-së, Kryesia e Kuvendit, pavarësisht përfundimit të të gjitha procedurave ligjore dhe propozimit të dy kandidatëve përfundimtarë, ka refuzuar t’i votojë ata dhe ka shpallur një konkurs të ri pa bazë ligjore. Ky veprim, sipas tyre, cenon sigurinë juridike dhe krijon precedent të rrezikshëm institucional.

Procesi i rekrutimit kishte nisur më 31 gusht 2024 dhe kishte përfunduar pa asnjë ankesë apo kontestim, me dy kandidatët që plotësuan kriteret ligjore: Arben Loshi dhe Taulant Bajrami. Megjithatë, Kryesia nuk ka marrë vendim brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi.

IKD thekson se opinioni juridik i vetë Kuvendit konfirmon se procesi ka qenë i rregullt dhe pa shkelje duke e bërë të pajustifikueshëm çdo tentativë për anulim. Për më tepër, dështimi i Kryesisë për të marrë vendim, përfshirë edhe votimin e fundit me tre vota për dhe tre abstenime, ka lënë institucionin në një gjendje paralize.

Sipas IKD-së, përgjegjësia bie mbi Kryetaren e Kuvendit dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë, përfshirë edhe opozitën, për mosveprim dhe mosrespektim të ligjit.

Organizata gjithashtu rikujton se sipas ligjit për zyrtarët publikë, një pozitë nuk mund të mbahet me ushtrues detyre më gjatë se dy vite duke rritur urgjencën për përmbylljen e procesit.

Në fund, IKD i bën thirrje Kuvendit që të rikthejë ligjshmërinë duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar dhe të ndalë praktikat që dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike. /Kosova.info/


Go to TOP