Rama pret në Prishtinë Përparim Avdili, theksohet fuqia e diasporës shqiptare
Sot në Prishtinë, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, priti në takim Përparim Avdili, një politikan me perspektivë të rëndësishme në skenën politike zvicerane.
Gjatë këtij takimi u vlerësua roli i diasporës shqiptare në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në përfaqësimin dinjitoz të komunitetit shqiptar jashtë vendit. Avdili u cilësua si një shembull pozitiv i angazhimit qytetar duke kontribuar aktivisht në politikën e shtetit ku jeton, ndërsa njëkohësisht ruan dhe promovon prejardhjen e tij.
Bashkëbiseduesit theksuan se raste të tilla dëshmojnë fuqinë e bashkëpunimit dhe krijimin e urave lidhëse mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e lidhjeve mes vendeve.
Ky takim u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit dhe inkurajimit të pjesëmarrjes së diasporës në proceset vendimmarrëse ndërkombëtare. /Kosova.info/
