PDK akuzon Qeverinë për papërgjegjësi ndaj krizës ekonomike dhe kërkon masa urgjente
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për, siç e cilëson, papërgjegjësinë dhe mungesën e seriozitetit të Qeverisë së Kosovës përballë krizës ekonomike që po prek qytetarët.
Në një reagim lidhur me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për rritjen e çmimeve të naftës, shërbimeve, tatimeve dhe inflacionit, PDK thekson se Kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës parlamentare bojkotuan një pjesë të konsiderueshme të saj. Sipas kësaj partie, një veprim i tillë përbën shpërfillje ndaj qytetarëve që po përballen çdo ditë me rritje të kostos së jetesës.
PDK vë në dukje se çmimi i naftës në vend ka arritur në 2.03 euro për litër duke ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve bazë. Në vend të reagimit institucional, sipas tyre, qytetarët po përballen me mungesë veprimi konkret.
Partia opozitare kritikon gjithashtu Kryeministrin për qasjen e tij gjatë rikthimit në seancë duke pretenduar se ai nuk ofroi zgjidhje konkrete për lehtësimin e barrës ekonomike.
PDK e cilëson këtë qasje të Qeverisë si të papranueshme dhe të dëmshme për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit. Në fund, ajo i bën thirrje institucioneve që të hartojnë dhe zbatojnë urgjentisht një pako emergjente për përballimin e krizës, me masa konkrete në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve. /Kosova.info/
