KEDS: Të gjithë njehsorët e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) përmes një konference për media ka siguruar qytetarët e Kosovës se të gjithë njehsorët e vendosur nga ta e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi, dhe të njëjtit, sipas tyre, janë në përputhje me standardet më të larta evropiane.

Bleona Dallaveraj, zëdhënëse e KEDS-it tha se të gjithë konsumatorët e prekur nga devijimet e mundshme, që dalin jashtë formës teknike, do të kompensohen në mënyrë të plotë, qoftë edhe për centin e fundit.

“Ju sigurojmë që të gjithë njehsorët e vendosur nga KEDS e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi e ky është elementi kyç dhe nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe akteve ligjore e nënligjore të Republikës së Kosovës. Devijimet e vërejtura janë një karakteristikë e njohur e kohës së njehsorëve elektrik dhe nuk përfaqësojnë manipulim dhe kjo gjë është e sigurt, madje edhe mund të vërtetohet”, tha ajo.

Zëdhënësja e KEDS-it  tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën për media të 25 marsit është thirrur në kodin e transmisionit e jo distribucionit.  

Dallaveraj tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet, përfshirë edhe me ato të drejtësisë.

“Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet, me ZRRE-në dhe gjitha institucionet tjera relevante, me ministrinë, po ashtu edhe me institucionet e drejtësisë. Nëse do të ftohemi nga ndonjëri institucion do të paraqitemi atje e do t’i japim sqarimet tona, sepse po veprojmë në përputhje me ligjet dhe rregullativat”, deklaroi ajo.

Shtoi se çështja e secilit konsumator do të trajtohet individualisht bazuar në të gjeturat për secilin.

Flamur Kurtaj, menaxher i leximit dhe ndërrimit të njehsorëve tha se njehsorët që janë në përdorim në KEDS i kalojnë të gjitha procedurat deri të shkojnë për instalim te konsumatori.

I pyetur pse po ndërrohen njehsorët, ai tha se ky është një proces si vazhdueshëm.

“Ky është proces i punës, jemi duke i dhënë përparësi njehsorëve me vjetërsi më të lartë. Është një proces i vazhdueshëm që ka ndodhur edhe më herët, po ndodhë edhe sot e do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Ai u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë nga  ora 22:00 deri në orën 07:00. /Kosova.info/


Go to TOP