Kuvendi reagon për ekspozitën: Mbështetje pa ndërhyrje në përmbajtje, shqetësimet i adresohen organizatorëve
Kuvendi ka reaguar pas diskutimeve dhe kritikave të fundit lidhur me një ekspozitë duke theksuar se mbështetja institucionale për iniciativa të tilla bëhet në përputhje me mandatin dhe praktikat standarde.
Në reagim thuhet se Kuvendi mbështet projekte që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Megjithatë, kjo mbështetje nuk nënkupton ndërhyrje në përmbajtjen artistike apo mesazhet e paraqitura.
“Duke respektuar parimet e lirisë artistike dhe të drejtës autoriale, përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve,” thuhet në reagim.
Kuvendi e cilëson këtë si praktikë të zakonshme institucionale duke sqaruar se mbështetja nuk duhet të interpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së ekspozitës.
Në të njëjtën kohë, theksohet rëndësia e mbrojtjes së dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive, si një obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror.
Pavarësisht kësaj, Kuvendi ka bërë të ditur se shqetësimet e ngritura do t’i adresohen organizatorëve të ekspozitës. /Kosova.info/
