Deda: Kushtetuesja i dha fund dilemave për zgjedhjen e Presidentit – pa marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje

Analisti dhe ish-deputeti Ilir Deda ka komentuar vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me procedurën e zgjedhjes së Presidentit duke theksuar se ky institucion ka sqaruar “njëherë e përgjithmonë” këtë çështje.

Sipas Dedës, aktgjykimi ka rrëzuar pretendimet e partive në pushtet për afatet duke sqaruar qartë procedurën 60-ditore për zgjedhjen e presidentit. Po ashtu, ai theksoi se Kushtetuesja ka konfirmuar se deputetët nuk kanë mandat detyrues duke hedhur poshtë kërkesat për imponim politik në proces.

Një tjetër element kyç, sipas tij, është përcaktimi i shpërndarjes automatike të Kuvendit në rast se presidenti nuk zgjidhet duke e bërë të pamundur zvarritjen apo manipulimin e situatës politike.

Deda nënvizoi gjithashtu se presidenti, në bazë të kompetencave kushtetuese, nuk përfaqëson interesa partiake apo grupore, por unitetin e popullit.

Në fund, ai theksoi se megjithëse është shfuqizuar dekreti i presidentes, vendimi i Kushtetueses shërben si precedent i vlefshëm për të ardhmen.

“Shkurt e shqip, nëse nuk mund të mirreni vesh – pa imponim, shkohet në zgjedhje”, përfundoi Deda. /Kosova.info/


Go to TOP