Ruajtja e kujtesës historike, marrëveshje mes IKKL-së e ASHAK-ut
Atdhe Hetemi që drejton Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë dhe Justina Shiroka-Pula kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kanë vënë firmat e tyre në një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim institucional.
Ky bashkëpunim mes palëve, thuhet se synon të avancojë kërkimet shkencore mbi krimet e luftës, dokumentimin dhe analizimin e burimeve arkivore dhe dëshmive ekzistuese, si dhe të forcojë debatin akademik mbi drejtësinë tranzicionale.
“Përmes këtij partneriteti, do të realizohen projekte të përbashkëta kërkimore, aktivitete akademike dhe publikime shkencore, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe në trajtimin e së kaluarës mbi bazën e fakteve dhe standardeve shkencore”, thotë Instituti.
IKKL shton se janë të përkushtuar për ndërtimin e një sistemi të besueshëm dokumentimi, i cili do të jetë në shërbim të institucioneve, studiuesve dhe shoqërisë në tërësi. /Kosova.info/
