Teherani mohon bllokadën e Hormuzit, akuzon SHBA-në e Izraelin për tension

Ngushtica e Hormuzit nuk është nën bllokadë, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli akuzohen nga Ministria e Jashtme iraniane për përshkallëzimin e rrezikut në atë kalim strategjik.

Sipas deklaratës, Irani ka miratuar një sërë masash për të parandaluar “agresorët dhe mbështetësit e tyre” nga keqpërdorimi i Ngushticës së Hormuzit për qëllime sulmi kundër Iranit, raportoi Al Jazeera.

“Ngushtica e Hormuzit nuk është mbyllur dhe as trafiku detar nuk është ndalur. Përgjegjësia për çdo ndërprerje, pasiguri dhe përshkallëzim të rrezikut në këtë kalim dhe në rajon i takon drejtpërdrejt regjimit amerikan dhe regjimit sionist”, thuhet në deklaratë.

Sipas ministrisë, vendosja e plotë e sigurisë kërkon ndërprerjen e agresionit ushtarak, kërcënimeve dhe veprimeve destabilizuese, si dhe respektimin e plotë të interesave legjitime të Iranit.

Ndërkohë, një këshilltar i komandantit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi më 3 mars se Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të eksportit të naftës në botë, ishte mbyllur, duke paralajmëruar se çdo anije që tenton të kalojë në këtë zonë mund të sulmohet.

SHBA-të dhe Izraeli kryen sulme ndaj Iranit mëngjesin e 28 shkurtit, në atë që u cilësua si “sulme parandaluese”, pas dështimit të disa raundeve të bisedimeve mbi programin bërthamor iranian.

Në përgjigje, Irani ndërmori sulme masive hakmarrëse ndaj Izraelit dhe objektivave të lidhura me SHBA-në në disa zona të Lindjes së Mesme.

Go to TOP