Sadiku: Mërgata ka qenë bastioni i LDK-së, duhet ta rikthejmë besimin dhe lidhjen me ta
Deputeti i Ermal Sadiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka folur për raportin e partisë së tij me mërgatën duke theksuar se kjo lidhje duhet të rindërtohet dhe të forcohet.
Sadiku ka thënë se, edhe pse jo gjithmonë pajtohet politikisht me një pjesë të mërgatës, ai ka shumë respekt dhe dashuri për ta duke kujtuar se edhe vetë ka jetuar dhe është shkolluar në Gjermani.
Sipas tij, mërgata ka pasur një rol vendimtar në historinë politike të Kosovës dhe në formimin e LDK-së. Ai theksoi se pikërisht në diasporë u krijuan qelizat e para të rezistencës, u organizua mbledhja e fondeve për Kosovën dhe u formësuan idetë që më vonë çuan drejt çlirimit dhe pavarësisë.
Deputeti i LDK-së vlerësoi gjithashtu ndikimin e mërgatës në orientimin pro-perëndimor të Kosovës duke thënë se ata e panë nga afër funksionimin e demokracisë, pluralizmit dhe shtetit funksional në vendet ku jetuan.
Megjithatë, Sadiku pranoi se gjatë rrugës së shtetformimit, edhe LDK ka bërë gabime në raport me diasporën duke humbur kontaktet me ta dhe duke lejuar, sipas tij, që të përhapen keqinformime.
Ai shtoi se në kohën kur në Kosovë po ndërtoheshin institucionet shtetërore, opozita e atëhershme kishte nisur të ndërtonte rrjetet e saj në Perëndim për të krijuar një narrativë tjetër për realitetin në vend.
Sadiku theksoi se LDK duhet të punojë për ta rikthyer besimin e mërgatës duke filluar edhe me një kërkim falje të sinqertë për gabimet e bëra.
Në fund, ai pati edhe një mesazh për diasporën: të mos krijojnë idhuj në politikë dhe të mos prishin marrëdhënie me familjarë apo miq për shkak të bindjeve politike.
“Politikanët vijnë dhe shkojnë. Kosova mbetet – e juaja dhe e popullit të saj”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
