Bajrami: Presidenti nuk zgjidhet pa konsensus – po luani me përgjegjësinë

Deputetja e Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke akuzuar mazhorancën për mungesë konsensusi dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike.

Bajrami ka theksuar se me 66 vota, shumica parlamentare i ka numrat për të propozuar dy kandidatë për president, duke rikujtuar se në të kaluarën kundërkandidati është propozuar nga e njëjta parti prej nga ka ardhur edhe presidenti.

“66 vota i keni. Sa herë është zgjedhë presidenti, edhe kundërkandidatin e ka propozu partia prej të cilës ka ardhë presidenti. Pra, 66 deputetë mund t’i bëjnë lehtë nënshkrimet për dy kandidatë”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, sipas saj, në Kosovë asnjëherë nuk është zgjedhur president pa marrëveshje ose konsensus politik.

“Ju e dini mirë se kurrë president pa marrëveshje ose konsensus nuk është zgjedhë. Prapë po doni me lujtë me kartën e përgjegjësisë? Jo kësaj here nuk ka me ju ecë”, është shprehur Bajrami.

Ajo ka shtuar se, sipas saj, qeverisja aktuale është në “rënje të lirë”, duke pretenduar se edhe mbështetësit e dikurshëm tashmë janë kundër.

“Sa ma lart ngjitesh, rënja dhemb më shumë. Por në rastin e juaj rënja është e domosdoshme, sepse jeni abuzues të vullnetit të popullit”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.

Deklarata e saj vjen në një moment të tensionuar politik, kur pritet të zhvillohen diskutime vendimtare për zgjedhjen e kreut të shtetit dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive parlamentare. /Kosova.info/

Go to TOP