Arsenali fiton derbin ndaj Chelsea-s, hap gjigant drejt titullit
Arsenali ka shënuar fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Chelsea në ‘Emirates Stadium’, të dielën duke zgjatur në 11 ndeshje serinë pa humbje në përballjet direkte (8 fitore, 3 barazime) në Premier League.
Pas fitores bindëse 4-1 ndaj Tottenham Hotspur, ‘Topçinjtë’ hynë me vetëbesim në këtë derbi londinez, por rasti i parë i takoi mysafirëve. Mamadou Sarr rrezikoi nga një goditje standarde, ndërsa në anën tjetër portieri Robert Sánchez u vu në vështirësi nga një tentim i guximshëm i Eberechi Eze nga distanca.
Arsenali kaloi në epërsi pas një goditjeje nga këndi, kur Gabriel Magalhaes devijoi topin në zonë dhe William Saliba realizoi me kokë. Chelsea reagoi shpejt dhe ishte pranë barazimit, teksa David Raya shmangu një autogol të mundshëm të Declan Rice. Megjithatë, nga këndi pasues, Piero Hincapie devijoi topin në rrjetë pas një harkimi të Reece James, duke barazuar shifrat para pushimit.
Në pjesën e dytë, Chelsea u shfaq më këmbëngulës në fillim, me Enzo Fernandez dhe Joao Pedro që testuan Rayën. Por Arsenali riktheu avantazhin sërish nga një goditje nga këndi – e 16-ta e realizuar këtë sezon në kampionat – kur Jurriën Timber shënoi me kokë pas asistimit të Declan Rice.
Vetëm katër minuta më vonë, Chelsea mbeti me dhjetë lojtarë, pasi Pedro Neto u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Gabriel Martinelli.
Me një lojtar më pak, ‘Blutë’ nuk arritën të riktheheshin në lojë, ndonëse Raya u detyrua të ndërhyjë ndaj një tentimi të Alejandro Garnacho, ndërsa një gol i Liam Delap u anulua për pozitë jashtë loje.
Me këtë fitore, Arsenali mbetet i pamposhtur në gjashtë ndeshje kampionale dhe kryeson tabelën me pesë pikë më shumë se Manchester City, që ka një ndeshje më pak.
Në anën tjetër, Chelsea humbet terren në garën për një vend në Ligën e Kampionëve, duke i dhënë fund serisë pa humbje nën drejtimin e Liam Rosenior.
