Tahiri: Qasja e Kurtit në dialog rrezikon ta vendosë Kosovën nën presion për Asociacionin
Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë–Serbi, Edita Tahiri, ka reaguar pas takimeve të fundit që ndërmjetësuesi i Dialogut të Brukselit, Peter Sorensen, zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić.
Sipas Tahirit, gjatë këtyre takimeve Vuçiq ka kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka kërkuar normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por jo njohje reciproke të drejtpërdrejtë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Tahiri vlerëson se një qasje e tillë mund ta vendosë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me diplomacinë ndërkombëtare.
“Me këtë qasje të Kurtit, diplomacia do t’i bëjë presion Kosovës për Asociacionin, ndërsa nuk do t’i bëjë presion Serbisë për njohjen reciproke, të cilën e ka përkrahur presidenti Donald Trump dhe më herët edhe presidenti Joe Biden”, ka deklaruar ajo.
Ajo theksoi se dialogu është proces negociues që kërkon qartësi strategjike dhe dije të thellë diplomatike duke shtuar se, sipas saj, në mungesë të një qasjeje të tillë nga Qeveria Kurti, Kosova rrezikon të përballet me pasoja të mëtejshme në procesin e dialogut me Serbinë. /Kosova.info/
