Sadiku: Opozita në kryqëzim – Pa kandidat të fortë, sfida ndaj Vjosës mbetet retorikë
Politologu Arbnor Sadiku vlerëson se opozita e Kosovës ndodhet në një moment vendimtar politik, ku kundërshtimi i thjeshtë ndaj Presidentes Vjosa Osmani nuk mjafton për të krijuar alternativë reale.
Sipas Sadikut, qëndrimi “nuk e duam Vjosën presidente” është i pamjaftueshëm në një garë politike, nëse nuk shoqërohet me një figurë që ka vizion të qartë, kredibilitet publik dhe aftësi për të bashkuar spektrin opozitar dhe qytetarët.
“Në politikë, mungesa e një alternative më të fortë është po aq fatale sa edhe kundërshtimi i pamotivuar. Nëse nuk ofron një kandidat që ka vizion, kredibilitet dhe aftësi për të bashkuar qytetarët, opozita nuk po konkurron, por po humbet kohë”, thekson ai.
Sadiku shton se një emër i fuqishëm, me peshë kombëtare dhe integritet politik, është e vetmja rrugë për ta sfiduar seriozisht Osmanin dhe për ta kthyer garën presidenciale në përballje reale idesh e konceptesh për shtetin.
Duke iu referuar filozofit politik Niccolò Machiavelli, ai rikujton thënien e njohur: “Politika nuk është moral, por aftësi për të vepruar.” Sipas Sadikut, pa një kandidaturë të tillë, çdo protestë apo qëndrim opozitar rrezikon të mbetet vetëm retorikë boshe, pa ndikim konkret në skenën politike të vendit. /Kosova.info/
