Don Shan Zefi mohon deklaratën e atribuar: Janë shtrembëruar fjalët e mia, do të ndjek rrugë ligjore

Kleriku katolik Don Shan Zefi ka reaguar publikisht pas interpretimeve që, sipas tij, janë bërë në mënyrë të pasaktë ndaj një interviste të dhënë për radion gjermane Deutschlandfunk.

Në një deklaratë për opinionin publik, Zefi ka mohuar kategorikisht pretendimin se ai ka thënë “si musliman nuk ke shpirt shqiptari” duke e cilësuar këtë si “shtrembërim të qëllimshëm dhe manipulim” të fjalëve të tij.

“Një formulim i tillë nuk përfaqëson mendimin tim në intervistë, dhe as qëndrimin tim publik, të cilin e kam dëshmuar për dekada përmes veprës sime meshtarake, shkencore dhe kombëtare”, thuhet në reagimin e tij.

Sipas Zefit, në intervistë ai ka mbrojtur identitetin dhe traditën shqiptare duke theksuar se shqiptaria është një vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore që duhet ruajtur nga ndikimet e huaja që nuk përputhen me traditën kombëtare. Çdo interpretim tjetër, sipas tij, është tendencioz dhe synon të krijojë përçarje ndërfetare dhe të dëmtojë figurën e tij publike.

Ai thekson se kjo nuk është hera e parë që përballet me manipulime dhe falsifikime në emrin e tij duke bërë të ditur se edhe në këtë rast do të ndiqen rrugët institucionale dhe ligjore për zbardhjen e plotë të çështjes.

Zefi njofton se po bëhen përpjekje që intervista të publikohet e plotë dhe pa ndërhyrje, në mënyrë që opinioni publik të ketë mundësi të gjykojë mbi bazën e fakteve.

Në fund të deklaratës, Don Shan Zefi thekson se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar për të mirën e popullit shqiptar, për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për bashkëjetesën ndërfetare, pa dallim besimi apo përkatësie, dhe kërkon nga ata që kanë përhapur interpretimet e pavërteta të ndalojnë manipulimin dhe të kërkojnë falje publike. /Kosova.info/


Go to TOP