Gërvalla feston 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Hamburg

Ministrja e Drejtësisë dhe Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, ka publikuar një postim për festimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Hamburg, ku organizimi u realizua nga Konsullata e Republikës së Kosovës në këtë qytet.

Në mesazhin e saj, Gërvalla thekson rëndësinë e lidhjeve të forta me miqtë ndërkombëtarë dhe komunitetin kosovar jashtë vendit. “Kosova është edhe më e fortë kur feston me miqtë e saj, kudo në botë”, tha ajo.

Ajo përshkroi mbrëmjen si një ngjarje ku arti dhe kultura u bënë gjuhë e fuqishme e diplomacisë.

“Me interpretimin brilant të mezzo-sopranos, Flaka Goranci dhe pianistes, Elda Laro, si dhe me elegancën skenike të artistëve të Trupës së Baletit Kombëtar, Luljeta Ademi dhe Fisnik Smani, kultura jonë u bë gjuha më e fuqishme e diplomacisë sonë”, theksoi ajo.

Gërvalla falënderoi gjithashtu Konsullin e Kosovës në Hamburg, Mizbah Mustafa, dhe stafin për organizimin e shkëlqyer, si dhe komunitetin shqiptar që mori pjesë në festë.

“Prania juaj, gëzimi, energjia dhe dashuria që dhatë e bënë këtë përvjetor edhe më të ngrohtë”, tha ajo.

Ministrja përfundoi mesazhin duke theksuar sovranitetin dhe qëndrueshmërinë e Kosovës si shtet.

“Sot, Kosova është më shumë se një histori suksesi shtetndërtimi; është aleat i besueshëm që po ecën përpara i pathyeshëm, i pandalshëm, i bashkuar dhe i vendosur, me miqtë dhe aleatët e saj, duke forcuar çdo ditë sovranitetin dhe besimin tek e ardhmja e saj euroatlantike. Gëzuar ditën tënde dhe ditëlindjen e 18-të, Kosovë, shteti i lirë, i pavarur dhe demokratik, por njëkohësisht shteti më i ri në Evropë!”, tha Gërvalla. /Kosova.info/

Go to TOP