Kurti kërkon Gjykatë Speciale për “Sarajevo safari”: Rol thuhet të ketë pasur edhe Aleksandar Vučić
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar themelimin e një Gjykate Speciale ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar krimet e njohura si “Sarajevo safari”, ku sipas raportimeve, nga kodrat përreth Sarajevës në fillim të viteve ’90 është qëlluar mbi civilë boshnjakë me snajper kundrejt pagesës.
Deklaratat ai i bëri gjatë konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku tha se për këto krime duhet angazhim i drejtësisë ndërkombëtare. Sipas tij, në këtë rast “rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.
“Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.
Në të njëjtën konferencë, Kurti hodhi poshtë pretendimet për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë” në Shqipëri duke thënë se ajo nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikim organesh nga pjesëtarët e UÇK-së, por sipas tij është pjesë e një narrative hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Ai theksoi se kjo çështje ishte iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev në prill të vitit 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Kurti tha se procesi gjyqësor nuk mund të ndryshojë të vërtetën historike për karakterin e luftës.
“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës dhe represioni sistematik”, theksoi ai.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tha se konferenca synon të thellojë dialogun shkencor dhe të zgjerojë perspektivën mbi hulumtimin e krimeve të luftës.
Sipas tij, diskutimet treditore do të ofrojnë analiza të thelluara dhe qasje ndërdisiplinare mbi pasojat afatgjata të luftës duke kontribuar në dokumentimin e së kaluarës dhe prodhimin e njohurive të reja në nivel ndërkombëtar.
Këto deklarata u bënë në ditën kur Kosova shënoi 18-vjetorin e pavarësisë.
