Rexhepi: Projektbuxheti njeh nevojën për investime te komunitetet
Grupi Multietnik i ka dhënë mbështetje buxhetit të Republikës për vitin 2026. Deputetja, Emilija Rexhepi, tha se ky është një nga dokumentet më të rëndësishme strategjike.
“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026, i projektuar në vlerë përreth 4 miliardë euro përcakton drejtimet e zhvillimit të shtetit, prioritetet institucionale si dhe politikat sociale ekonomike. Ky buxhet nuk është vetëm një përmbledhje e zërave financiar, por një instrument operacional i politikës publike që duhet të sigurojë stabilitet, zhvillim dhe shpërndarje të barabartë të resurseve ndërmjet të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha ajo.
Tutje, sipas Rexhepit, struktura e po të njëjtit tregon qartë fokusin e sigurisë sociale, rritjen e ekonomike, investimet kapitale si dhe zhvillimin e zonave lokale.
“Buxheti parasheh investime përmes kategorive të subvencioneve, transfereve dhe investimeve kapitale që janë të orientuara drejt përmirësimit të jetesës, hapjes së vendeve të reja të punës”, vijoi tutje ajo.
Ajo tha se është me rëndësi të theksohet dimensioni gjithëpërfshirës i këtij buxheti. “Shumë qartë, ky dokument e njeh nevojën për investime në vendet ku jetojnë komunitetet përmes programeve e projekteve të veçanta. Grupi multetnik konsideron se buxheti i propozuar është i orientuar drejt zhvillimit që mundëson zbatimin e projekteve konkrete. Në emër të grupit multientik shpreh mbështetjen për vitin 2026 dhe do të votojmë për miratimin e të njëjtit”, tha ajo.
