Prishtina pa spital

Aktualisht të gjithë pacientët që janë qytetarë të Prishtinës, të vetmen adresë trajtimi  e kanë Qendrën Klinike Universitare, si institucion të shërbimit terciar, i dedikuar për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Spitali i Prishtinës, projekt që prezantohet vazhdimisht, nuk ka shënuar hap për nismën e ndërtimit. Për një projekt të gatshëm, plan të fizibilitetit të kryer, dhe pasqyrim të qartë se spitali do të ketë 200 shtretër, 4 dhoma të operimit, 54 dhoma të intervenimit dhe një kapacitet prej mbi 200 profesionistëve shëndetësorë, u zotuan edhe përgjatë vitit 2024.

Megjithëkëtë, gjithçka ra në heshtje, pas përmbylljes së fushatës. Një prezantim të hollësishëm me zotimin për përmbyllje të këtij projekti e ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke ndarë edhe një parcelë në lagjen Prishtina e Re dhe buxhet prej 1.3 milion eurosh.

Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim, thuhet se Komuna pas përmbylljes së planifikimit, ka ndërmarrë hapa konkretë për ndarjen e buxhetit, si dhe për sigurimin e mbështetjes financiare në vlerë prej 75 milionë eurosh nga Katari.

Asamblistët opozitarë nënvizojnë se spitali i kryeqytetit është nevojë urgjente për banorët e Prishtinës.

“Në kohën kur ka qenë ministër Uran Ismaili, e ka bërë këtë kërkesë, dhe po ashtu është kryer një plan i fizibilitetit, se si do të dukej ky spital, tani mbetet në dorën e institucioneve tjera që të jetësohet ky projekt. Buxheti është vetëm 1 milion i ndarë për 2026”, tha  Fjolla Vukshinaj nga PDK.

“Çështja e spitalit, është e rëndësisë kruciale, për banorët e Prishtinës, dhe kjo duhet të bëhet në bashkërendim dhe në bashkëbisedim me ministrinë e Shëndetësisë dhe organet e tjera gjegjëse, për të parë se cilat janë ato shërbime, për të cilat qytetarët e Prishtinës, kanë nevojë” , Gëzim Sveçla nga VV.

Ngecja e projektit të spitalit, sipas zyrtarëve komunalë, mbetet Ministria e Brendshme që ka financuar studimin e fizibilitetit, por ende nuk ka dorëzuar dokument përkatës, për të vazhduar tutje me procedurat ligjore dhe administrative.


Go to TOP