Rrenat për “rritjen ekonomike 8.53%” dhe investitorët gjermanë që nuk mashtrohen lehtë

Shkruan; Shenoll MUHARREMI

Në Gjermani, Kryeministri i ri i Kosovës paska ftu investitorë gjermanë me investu. Shumë mirë, pa dyshim. Investimet janë shumë të nevojshme dhe gjithmonë duhen me i kërku.

Por mu kujtu një moment interesant. Para disa javësh, rreth zgjedhjeve, Ambasada e Kosovës në Gjermani e shpërndau një “lajm” që Kosova paska pasur rritje ekonomike 8.53%.

Një shifër prej 8.53% që nuk ishte aspak e vërtetë e as e konfirmuar dhe ishte fake-news. Një rrenë e pastër. Edhe kryeministri gënjeu në paraqitjen e tij të parë këtë javë se kemi pasur mesatare prej 6% të rritjes ekonomike.

A thua këta investitorët gjermanë e kanë pyetur Kryeministrin për këto rritje gjatë takimit? A i kanë thënë “Si po arrini me u rritë ka 8% se na gati zero jemi?” E ajo “zero” e Gjermanisë është shumë e rëndësishme se ndërlidhet me politika ekonomike që parandalojnë inflacionin.

Në fund, rritja ekonomike gjatë inflacionit e ushqen kërkesën në treg dhe e përshkallëzon rritjen e çmimeve në treg dhe e kundërta. Prandaj gjermania po sillet rreth zero rritje qe disa vite e Kosova ka “8.53%” po shkon me rritje në letrat e qeverisë.

Një gjë duhet me e kuptu mirë.. Investitorët nuk menaxhojnë me para publike sikur qeveritë. Ata i investojnë paret e tyre, djersën e tyre. Rreziku është real dhe personal.

Prandaj, para se me investu, pyesin shumë, hulumtojnë shumë dhe analizojnë çdo detaj. Dhe e dallojnë menjëherë një qeveri që fryn shifra e rrëfen rritje imagjinare, nga një qeveri serioze që punon me kriju kushte reale për investime.

Sa i përket investimeve të huaja, realiteti është i thjeshtë. Gjatë mandatit të parë të LVV-së dhe Kurtit nuk kemi parë asnjë investim serioz strategjik nga jashtë.

Përkundrazi, me keqmenaxhim të energjisë, inflacion të lartë dhe pasiguri ekonomike, edhe disa biznese vendore janë largu ose e kanë zvogëlu aktivitetin.

Në këtë situatë po fitojnë vetëm marketet e mëdha dhe kompanitë e energjisë: të parat nga rritja e çmimeve, të dytat nga gabimet e qeverisë që nuk ka investu me kohë në kapacitete të reja energjetike.

Pra, logjika është që fillimisht krijohen kushtet e mira për biznesbërje, pastaj ftohen investitorët.

Nuk mundesh një ditë me paralajmëru si qeveri krizë energjetike për dy vite e ardhshme pas gjithë këtyre skandaleve me energji, e disa ditë më vonë me shku në Gjermani e Zvicës e me ftu investitorë me ardhë.

Energjia është vetëm një parakusht bazik. Mbi të vijnë sundimi i ligjit, stabiliteti ekonomik, fuqia punëtore e kualifikuar dhe besueshmëria institucionale.

Dhe mbi të gjitha, nuk duhet me rrejt, sepse mundesh me rrejt vetëm veten.

Investitorët seriozë i shohin me shumë kujdes faktet dhe informatat para se me marrë vendime. Dhe vendimet e tyre bazohen në realitet, jo në propagandë politike e zgjedhore.

Go to TOP