AAK hap kapitull të ri pa Haradinajn – Sadiku: Rezultati flet në demokraci, Ahmeti: Shembull për kulturë të re politike
Pas vendimit të Ramush Haradinaj për të mos rikandiduar në krye të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, politologu Arbnor Sadiku e sheh dorëheqjen si përgjegjësi ndaj rezultatit zgjedhor, ndërsa gazetari Sylë Ahmeti e cilëson si model për reforma të thella brenda partive
Haradinaj: Tërhiqem nga gara për kryetar

Ramush Haradinaj ka njoftuar se nuk do të kandidojë më për kryetar të AAK-së në zgjedhjet e brendshme që nisin më 20 shkurt dhe përmbyllen më 6 qershor.
Ai e arsyetoi vendimin me kohën e gjatë në udhëheqje që nga viti 2000, rezultatin jo të kënaqshëm zgjedhor dhe besimin se partia ka kuadro të gatshme për ta marrë drejtimin. Haradinaj po ashtu mohoi se është kandidat për president të Kosovës.
Në vend të tij, kandidaturën për kryetar e ka shpallur nënkryetari i partisë, Ardian Gjini.
Sadiku: Kur qytetarët flasin me votë, përgjegjësia është hapi i parë

Në një prononcim për Kosova.info, politologu Arbnor Sadiku tha se dorëheqja e Haradinajt vjen në një moment kur mbështetja elektorale e AAK-së ka qenë nën 10 për qind.
“Në demokraci, rezultati flet. Kur qytetarët japin mesazhin e tyre me votë, përgjegjësia politike është hapi i parë drejt reflektimit dhe ndryshimit”, u shpreh ai.
Sipas Sadikut, tani mbetet të shihet nëse AAK do ta shfrytëzojë këtë moment për reformë të mirëfilltë të brendshme apo nëse do të vazhdojë me të njëjtin model funksionimi.
Ahmeti: Veprim i guximshëm që duhet ndjekur edhe nga të tjerët

Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike, Sylë Ahmeti, e cilësoi lirimin e pozitës nga ana e Haradinajt si një mesazh me peshë për kulturën politike në vend.
“Reformat e thella brendapartiake mund të realizohen vetëm përmes hapave të guximshëm nga vetë liderët themelues”, tha Ahmeti për Kosova.info.
Ahmeti vlerësoi se nën udhëheqjen e Haradinajt, AAK arriti ta ruajë elektoratin përkundër konkurrencës së ashpër politike ndër vite, ndërsa theksoi se lidershipi i ri duhet të angazhohet seriozisht për ta rritur besimin qytetar dhe për të ndjekur një qasje konstruktive në raport me interesat shtetërore.
Anita Haradinaj: Ramushi gëzon shëndet të plotë

Bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj, ka sqaruar se Ramush Haradinaj është në gjendje shumë të mirë shëndetësore duke mohuar çdo spekulim.
Ajo tha se humbja në peshë lidhet me përgatitjen për një ngjitje malore dhe jo me probleme shëndetësore, ndërsa foli edhe për mungesën e tij në jetën familjare për shkak të angazhimeve politike ndër vite duke theksuar se ai mbetet një figurë aktive që do të vazhdojë të kontribuojë në jetën publike. /Kosova.info/
