Salihaj: Plani për ndarjen e Kosovës u ndal nga ndërkombëtarët – arrestimi i Hashim Thaçi erdhi në moment kyç

Ish-zëvendëskryeministri Adem Salihaj ka reaguar lidhur me debatet e fundit për epilogun e gjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës duke rikthyer në vëmendje zhvillimet që, sipas tij, i paraprinë arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Salihaj pretendon se fletarresti për Thaçin u lëshua në momentin kur ai po nisej drejt Uashingtonit për një takim ku pritej të diskutohej dhe, sipas tij, të nënshkruhej një marrëveshje për “korrigjim kufijsh” me presidentin serb Aleksandar Vučić. Ai thotë se plani parashihte që Serbia të përfitonte komunat veriore të Kosovës, përfshirë zonat me pasuri minerare, ndërsa Kosova do të merrte vetëm një pjesë të Luginës së Preshevës.

Sipas Salihajt, në këtë plan përfshihej edhe një status i veçantë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mbrojtje eksterritoriale për objektet fetare dhe çështje që lidhen me Liqenin e Ujmanit dhe Trepçën, për të cilën ai përmend vlerësime të mëdha financiare dhe një formulë të supozuar menaxhimi ndërkombëtar.

Ai pretendon se plani ishte hartuar në Beograd, me mbështetje nga Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërsa në Uashington sponsor, sipas tij, ishte diplomati amerikan Richard Grenell, i cili në atë kohë kishte rol në dialogun Kosovë-Serbi gjatë administratës së presidentit Donald Trump.

Salihaj hedh akuza të rënda për lobime dhe pagesa duke përmendur edhe emrin e ish-zyrtarit amerikan James Rubin, për të cilin thotë se ishte paguar për lobim, pretendime që, sipas tij, janë përmendur edhe gjatë dëshmive në Hagë.

Në reagimin e tij, ai shton se arrestimi i Thaçit, sipas deklarimeve publike të Grenellit, ishte i koordinuar nga shërbime të rëndësishme të inteligjencës perëndimore dhe me urdhër të ish-prokurorit të Speciales Jack Smith.

Salihaj shpreh bindjen se, po të mos ishte rreziku i ndarjes së Kosovës, arrestimi mund të mos kishte ndodhur në atë moment duke shtuar se realizimi i atij plani, sipas tij, do ta rrezikonte ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Në fund, ai sjell edhe një deklaratë që pretendon se ia kishte thënë në vitin 2004 presidenti historik Ibrahim Rugova duke cituar: “Hashim Thaçin nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të bëhet kryeministër, ai është shumë i rrezikshëm”.

Deklaratat e Salihajt pritet të nxisin reagime në skenën politike, ndërsa debati për dialogun Kosovë-Serbi dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë mbetet i ndjeshëm. /Kosova.info/


Go to TOP