Kurti takon Engelken në Munih: Fokus në siguri, bashkëpunim bilateral dhe çështjet e diasporës

Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih (MSC), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, Hans-George Engelke. 

Kryeministri Kurti pranoi urimin dhe përgëzimet nga Sekretari i Shtetit Engelke për formimin e qeverisë së re. 

Gjatë takimit u theksua zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik i shtetit tonë, ndërsa pjesë e bashkëbisedimit ishin edhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, edhe në fusha si siguria dhe lufta kundër krimit. 

U diskutuan edhe çështje që ndërlidhen me qytetarët e Republikës së Kosovës në diasporë, përfshirë trajtimin e statusit të tyre shtetëror, një çështje tashmë e qartësuar dhe rregulluar në mënyrë që ata të mos konsiderohen më si shtetas të Serbisë, ndonëse ende ka raste me problematika të ngjashme. /Kosova.info/


Go to TOP