​Hamza: Projekt-buxheti për vitin 2026 nuk i reflekton premtimet e Kurtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se projekt-buxheti për vitin 2026 nuk i reflekton premtimet që i dha kryeministri Albin Kurti gjatë ekspozesë për formimin e qeverisë, më 11 shkurt.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit, kërkoi afat tri ditë për të përgatitur propozime e diskutime para se ta votojnë buxhetin në lexim të parë.

Hamza shtoi se projekt-buxheti i ka ardhur deputetëve të premten në orën 11:00 dhe se është e pamundur të analizohet i njëjti për disa orë.

Sipas tij, mazhoranca nuk duhet të ketë qëllim të mos ketë debat për ligjin më të rëndësishëm të qeverisjes.

“Nuk është tema të bllokada dhe rreziku që vendi të jetë pa buxhet, pasi u tha se pavarësisht të gjithëve, deputetët në mënyrë të vullnetshme e kanë votuar dje vendimin për shfrytëzimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars. Askush nuk kërkoi që vendi të vendoset në vështirësi, por kërkuam një afat të arsyeshëm prej tri ditëve. Po e them se jam i kësaj fushe dhe unë e kam problem sot me diskutuar me kompetencë për këtë dokument kaq të rëndësishëm dhe voluminoz. E them me bindje se edhe deputetët e pozitës kanë çka me thënë kontribut në këtë drejtim, por s’kanë pasur mundësi pasi janë në pyetje vetëm disa orë. Nuk po themi të shfrytëzojmë afatet maksimale ligjore, por kërkesa jonë është tri ditë. Qëllimi është dhe tendenca është që mos të ketë debat… ky buxhet nuk është në përputhje me ekspozenë e kryeministrit. Gjithë ato premtime nuk janë të reflektuara në këtë buxhet, janë dëshirore. Tërhiqeni dhe sillni pas tri ditëve, jeni të bindur që kemi me ia votuar që të hyjë në procedurë të përshpejtuar”, tha ai.


Go to TOP