Abdixhiku: Qeveria solli buxhet pa Qeverinë brenda, katër ministri pa financim
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare duke theksuar se ato i përkasin Republikës dhe të ardhmes së qytetarëve.
Megjithatë, ai ka kritikuar ashpër projektbuxhetin e dorëzuar nga Qeveria duke e cilësuar atë si të paplotë dhe jo serioz. Sipas Abdixhikut, buxheti nuk reflekton as vetë strukturën e kabinetit të propozuar qeveritar, pasi katër ministri të reja nuk kanë fare të paraparë financim.
“Pra, buxheti i Qeverisë nuk kishte në vete as vetë Qeverinë,” është shprehur ai duke shtuar se dokumenti financiar nuk përfshin as të gjitha komunat dhe se Kryeqyteti ka mbetur sërish pa financim.
Abdixhiku ka theksuar gjithashtu se zotimet e shpallura nga kryeministri në Kuvend pak ditë më parë nuk janë reflektuar në ndarjet buxhetore. “Fjalët, pa buxhet pas, mbesin veç fjalë,” ka deklaruar ai.
LDK ka kërkuar që buxheti të harmonizohet me realitetin institucional dhe që deputetëve t’u jepet kohë e mjaftueshme për shqyrtimin e tij. Sipas Abdixhikut, është e papranueshme që një dokument prej rreth 700 faqesh të trajtohet brenda pak orësh duke shtuar se “nuk ka superdeputetë që i lexojnë 700 faqe për më pak se tri orë.” /Kosova.info/
