Mbrojtja: Zëdhënësi nuk ka kontroll ushtarak, Krasniqi nuk kishte kompetencë për të bërë emërime
Mbrojtja po trajton pretendimet e ZPS-së për autoritetin e Krasniqit pas emërimit të tij si zëvendëskomandnat i UÇK-së në nëntor të vitit 1998.
Avokatja e Krasniqit tha se ZPS e pranon se para kësaj periudhe, si zëdhënës ai nuk kishte kontroll logjistik në terren që mund të çonin në veprime konkrete.
“Zëdhënësi nuk është komandant që ka kontroll ushtarak. Përgjegjësia penale mund t’i atribuohet zëdhënësit vetëm në rastet kur deklaratat specifike e lidhin me krime specifike. ZPS as nuk i është afruar vërtetimit të kësaj për këtë rast”, tha Alagendra.
Ajo argumentoi se ZPS thotë se Krasniqi ka marrë pjesë në mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm ku janë bërë emërime, por shtoi se nuk përcaktohet roli i Krasniqit në këto emërime.
“Ai nuk ka pasur kompetenca për të emëruar askënd”, tha ajo.
Mbrojtja: Dokumentet serbe ishin të fabrikuara
Avokatja Alagendra tha se materialet e marra nga Serbia kundërshtoheshin nga verifikimet në terren.
“Gjykatësit duhet t’i trajtojë si materiale me interes, jo si provë nëse nuk janë të provuara”, tha ajo.
“Materiale të tilla janë fabrikime të skenave të krimeve nga autoritetet serbe. Fred Abrahams e bëri të qartë dallimin mes medias së pavarur dhe medias shtetërore duke iu referuar masakrës në Obri dhe HRW tha se ka shkelje serioze të rregullave të luftës”, shtoi ajo.
Alagendra tha po ashtu se disa dëshmitarë kanë treguar për pasaktësinë e dokumenteve zyrtare serbe. disa tha ajo, kishin dëshmuar se nuk kishin thënë ashtu siç paraqitej në dokumente, disa thoshin se janë shtuar pjesë në dëshminë e tyre. Ajo po ashtu i bëri thirrje trupit gjykues të ketë parasysh se Serbia ka përdorur “torturë” gjatë marrjes në pyetje të shqiptarëve.
