Familja Imeri: Pa drejtësi për vrasjet politike nuk ka shtet, PDK po i ikën zbardhjes së tyre

Familja e njërit nga aktivistët e LDK-së të vrarë pas pasluftës, Haki Imerit ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvend duke e krahasuar iniciativën aktuale me përpjekjen e 22 dhjetorit 2017 për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tyre, asokohe, nën organizimin e Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, u tentua të zhbëhej një gjykatë që, siç thekson ai, ishte themeluar nga vetë ata. “U paralajmëruan qartë nga ambasadori amerikan dhe vendet e Quint-it se po u futej thikë pas shpine miqve amerikanë dhe evropianë. Pasojat i dimë të gjithë. Nuk ia arritën atëbotë”, ka shkruar familja Imeri.

Ata thonë se sot historia po tenton të përsëritet, ndërsa vlerëson qëndrimin e LDK-së për përfshirjen në rezolutë të pikës për ndriçimin e vrasjeve politike. “LDK këtë herë tha atë që drejtësia e kërkon prej 25 vitesh – të ndriçohen vrasjet politike”, shprehet ai duke pyetur se kush po frikësohet nga zbardhja e tyre.

Familja Imeri drejton gishtin nga PDK-ja, për të cilën thotë se qartazi nuk dëshiron të hapen dosjet e vrasjeve politike. “Pika e propozuar nga LDK-ja mund të futej pa asnjë problem në rezolutë, por kjo përbërje qeveritare nuk do ta ketë të lehtë”, thekson ai duke shtuar se lufta kundër krimit të organizuar është detyrë, ndërsa mbështetja e drejtësisë për ndriçimin e vrasjeve politike është përgjegjësi institucionale.

Në mesazhin e tyre, ata i bëjnë thirrje kryeministrit që të mos “lajthisë” duke theksuar se “lufta kundër viktimave nuk fitohet kurrë” dhe se viktimat janë më të fuqishme se çdo pushtet.

Sipas familjes Imerit, BE-ja dhe SHBA-ja nuk i marrin seriozisht iniciativa të tilla politike, pasi Kosova nuk ka nevojë për manovra, por për drejtësi. “Mbroni viktimat. Luftoni për ndriçimin e vrasjeve ‘enigmatike’. Pa drejtësi nuk ka shtet”, përfundon Imeri. /Kosova.info/


Go to TOP