IKSHPK sekuencon virusin e Gripit A: Dominon H3N2, vaksina sezonale mbetet efektive

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka realizuar sekuencionimin e gjenomit të plotë të virusit të Gripit A, në kuadër të mbikëqyrjes virologjike gjatë sezonit vjeshtë-dimër.

Sipas njoftimit zyrtar, në laboratorin e mikrobiologjisë molekulare është përdorur teknologjia e sekuencimit të gjeneratës së re (Next Generation Sequencing – NGS), përmes platformës GridION të Oxford Nanopore Technologies (ONT). Sekuencimi është kryer në 22 mostra të konfirmuara paraprakisht me virusin e Gripit A përmes metodës RT-PCR, gjatë periudhës 18 dhjetor 2025 – 14 janar 2026.

Rezultatet tregojnë se 82% e mostrave i përkisnin virusit të Gripit A/H3N2, ndërsa 18% virusit A/H1N1. Të gjitha mostrat e subtipit dominues H3N2 i përkasin “clade K”, një variant që tashmë është identifikuar në të gjitha kontinentet dhe përbën rreth gjysmën e sekuencave të depozituara në bazën globale GISAID për rajonin e Evropës.

Sipas të dhënave, është vërejtur një divergjencë e konsiderueshme gjenetike e virusit në qarkullim krahasuar me shtamin e përfshirë në vaksinën sezonale për hemisferën veriore për subtipin A(H3N2). Megjithatë, Qendra Evropiane për Kontroll të Sëmundjeve (ECDC) thekson se të dhënat preliminare nga studimi multi-centrik VEBIS tregojnë se vaksinat sezonale në dispozicion në BE ofrojnë mbrojtje kundër A(H3N2), me efektivitet që varion nga 52% deri në 57%.

IKSHPK vlerëson se këto rezultate janë në përputhje me të dhënat rajonale dhe globale duke nënvizuar rëndësinë e përdorimit të teknologjisë NGS në mbikëqyrjen gjenomike të gripit. Të dhënat e përfituara ndihmojnë në monitorimin e qarkullimit të nënllojeve të virusit, dinamikës së përhapjes në popullatë dhe ofrojnë bazë shkencore për përditësimin e përbërjes së vaksinës kundër Gripit në të ardhmen. /Kosova.info/


Go to TOP