Kusari-Lila: Ka gjasa që sonte të jenë dy seanca për Kuvendin e për Qeverinë
Kryetarja e Alternativës që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ka gjasë që sonte të mbahen dy seanca e para që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, zgjedhja e kryeparlamentarit e nënkryetarëve, e pastaj seanca për Qeverinë e re.
Ajo tha se shumë e rëndësishme që sot të votohen të dyja në mënyrë që, sipas saj, Qeveria që mund të përfundojnë me punë sa më parë.
“Ka gjasa që sonte të jenë dy seanca, njëra që fillon në orë 17:00 që ka të bëjë me organet e Kuvendit e tjetra e cila fillon pastaj, varësisht sa do të zgjasë kjo e para, që nuk e besoj se do zgjasë shumë. Është për tu përshëndetur qasja bashkëpunuese e të gjitha grupeve politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e djeshme të ftuar nga kryetari i deritashëm Basha, ku ka pasur dakordim prej kërkesës për ndërrim të orarit të seancës e deri te procesi i votimit. Prandaj jam optimiste që në seancën e parë nuk do të ketë vonesa, nuk do të ketë çështje të cilat mund të jenë të papritura, të paplanifikuara, e pastaj të procedohet me mandatarin në seancën tjetër”, deklaroi ajo para nisjes së seancës konstituive.
Ajo tha se interesi i Kosovës është mbi të gjitha, dhe sipas saj, ajo çfarë duhet të ndodhë sot është të ruhet mbarëvajtja e jetës institucionale, interesat e mijëra punëtorëve dhe gjithë atyre që janë në shërbim të këtij vendi, në sektorin publik dhe atë privat. “E natyrisht edhe të procedohet me ato obligime që i kemi që do të mund t’i kishim kryer para datës 28 dhjetor, ato të cilat u kërkua e u lutën shumë herë edhe partitë e opozitës edhe nga ana jonë edhe nga ana e presidentes për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, afati i të cilave skadon tepër shpejt”, tha Kusari Lila.
