Rashiti: Nuk pres pengesa në konstituivin e institucioneve

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Naim Rashiti, vlerëson se pas rezultateve të zgjedhjeve të dhjetorit, skena politike ka hyrë në një fazë më të qartë, që e bën të mundur konstituimin e Kuvendit pa pengesa të mëdha.

Sipas tij, zgjedhjet e dhjetorit treguan se subjektet politike humbën një vit kohë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit, duke përfshirë edhe fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe partitë e tjera opozitare.

“Tani, rezultati është më i qartë – e lejon Lëvizjen Vetëvendosje ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë vetëm, pa ndihmën e ndonjë subjekti”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se ekziston pajtim i përgjithshëm mes subjekteve politike që institucionet duhet të konstituohen – nga Kuvendi deri te Presidenti – dhe se askush nuk ka interes të rrezikojë të shkojë në zgjedhje të reja.

Sipas tij, edhe çështja kontestuese rreth përfaqësimit të Listës Serbe pritet të zgjidhet përmes votimit në pako të nënkryetarëve të Kuvendit – çka tregon për një “maturim” të partive për ta përmbyllur procesin.

Rashiti shton se nuk sheh sinjale për ndonjë koalicion të mundshëm qeverisës.

“Nuk besoj se për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit apo për formimin e Qeverisë do të ketë gatishmëri për negociata për koalicion”, përfundon Rashiti.


Go to TOP