Haziri: Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk mund të damkosen
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i një qëllimi të pastër dhe të drejtë, të cilat nuk mund të njollosen në asnjë rrethanë.
Sipas Hazirit, rruga e Kosovës drejt lirisë është ndërtuar fillimisht përmes rezistencës paqësore politike, ndërsa kryengritja çlirimtare e popullit të Kosovës përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një e drejtë legjitime, si mjeti i fundit i politikës për mbrojtjen e familjes, pronës dhe dinjitetit njerëzor.
Ai theksoi se krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, deri në përmasa gjenocidi, mbeten ende plagë të hapura që kërkojnë drejtësi dhe ballafaqim me të vërtetën historike.
Duke folur për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Haziri u shpreh se drejtësia e këtij institucioni duhet dhe pritet të konfirmohet, por pa cenuar themelin e lirisë dhe pavarësisë së vendit. Sipas tij, procesi gjyqësor ndaj udhëheqësve të luftës lidhet drejtpërdrejt me të drejtën politike të shpallur më 2 korrik 1990, me organizimin institucional dhe ushtarak të 2 shtatorit 1990, si dhe me marrëveshjet e kohës ndërmjet presidentëve Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia.
Haziri përfundoi duke theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës, të konfirmuara përfundimisht më 17 shkurt 2008, nuk mund të damkosen, sepse ishin dhe mbeten një e drejtë e padiskutueshme e popullit të Kosovës, e cila, sipas tij, do të rikonfirmohet edhe së shpejti. /Kosova.info/
