Franjo von Allmen fiton medaljen e artë në garën e lëshimit
Skitari zviceran Franjo von Allmen ka fituar medaljen e artë olimpike në garën e lëshimit në skijim alpin, duke dhënë performancën më të mirë të ditës në një pistë të vështirë, por me mot perfekt në Bormio.
Ai përfundoi garën me kohën 1 minutë, 51 sekonda e 61 të qindtat, që i siguroi vendin e parë.
Në vendin e dytë dhe medalja e argjendtë i takoi Giovanni Franzonit nga Italia, ndërsa bashkëkombësi i tij, Dominik Paris fitoi medaljen e bronztë, duke e lënë favoritin e kësaj gare Marco Odermatt të Zvicrës pa medalje.
Kjo është medalja e parë e artë për Zvicrën në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano–Cortina 2026’, që nisën mbrëmë me një ceremoni madhështore.
Gara e lëshimit u transmetua drejtpërdrejt në RTK, teksa gjatë ditës së sotme do të ketë edhe transmetime tjera ekskluzive nga ‘Milano-Cortina 2026’.
Nga ora 13:55 do të transmetohen kualifikimet në skijim në stil të lirë për meshkuj.
Programi vijon nga ora 17:00 me përmbledhjen e parë të momenteve më të rëndësishme të ditës. Në mbrëmje, nga ora 19:30 do të transmetohen finalet e snoubordit Big Air për meshkuj, derisa dita e parë olimpike do të mbyllet me një tjetër edicion të përmbledhjeve ditore nga ora 23:00.
