Abdixhiku: Vendimi i lirë i anëtarësisë i dhemb atyre që janë mësuar ta injorojnë atë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe sulmeve që, sipas tij, po vijnë pas vendimeve të fundit të marra nga anëtarësia e LDK-së, duke i cilësuar ato si shprehje të mosdurimit ndaj vullnetit të lirë dhe demokratik të partisë.

Në një deklaratë publike, Abdixhiku thekson se sulmet nuk janë të drejtuara vetëm ndaj tij, por ndaj gjithë LDK-së, familjes Rugova, veprimtarëve, profesionistëve, të rinjve dhe të vjetërve të partisë. Sipas tij, kjo klimë “zi e terr” ndaj LDK-së shfaqet sa herë që prapaskenat humbin ndikimin dhe anëtarësia, me qetësi dhe dinjitet, mbyll një kapitull të vjetër.

Ai vlerëson se vendimi i lirë i anëtarësisë është i rëndë për ata që janë mësuar ta shtypin apo ta anashkalojnë atë, duke shtuar se në vend të maturisë, këshillës dhe ndihmës në kohë të vështira, disa zgjedhin përbaltjen dhe hapjen e krizave artificiale, gjë që Abdixhiku e cilëson si papjekuri politike.

Duke folur për Kuvendin e LDK-së, Abdixhiku nënvizon se ai nuk ishte vetëm një ngjarje demokratike, por një shkëputje e qartë nga një e kaluar e bazuar në kontroll pa parim, drejt një kohe të re që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi. Sipas tij, prej asaj dite, LDK ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin dhe dinjitetin e zgjedhjes së lirë, dhe këtë rrugë nuk mund ta ndalë askush.

“Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat,” shprehet Abdixhiku, duke shtuar se fundi i rolit politik për disa nuk është fundi i botës, por pranim i kohës që ka ecur përpara.Në fund, ai thekson se LDK do të bashkohet fuqishëm, por jo përmes logjikës së vjetër, jo me prapaskena dhe jo me ata që refuzojnë ta pranojnë vullnetin e anëtarësisë. “Kemi punë më të mençura,” përfundon Abdixhiku. /Kosova.info/


Go to TOP