Mbi 450 milionë € për rajonin, zero € për Kosovën – AKB: Dështim politik që po i kushton shtrenjtë bizneseve dhe qytetarëve

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim dhe indinjatë të thellë lidhur me faktin se rreth 455 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian janë ndarë për vendet e rajonit – Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi – ndërsa Kosova nuk ka përfituar asnjë euro.

Sipas AKB-së, kjo situatë nuk është pasojë e mungesës së vullnetit të BE-së, por rezultat i papërgjegjësisë dhe bllokadës politike në Kosovë. Ndërkohë që vendet e rajonit po ecin përpara me investime dhe zhvillim ekonomik, Kosova po mbetet peng i krizës politike dhe moskonstituivit të institucioneve duke rrezikuar humbjen e fondeve jetike për bizneset, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.

AKB thekson se Kosova ka të drejtë të përfitojë rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, shumën më të lartë për kokë banori në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, për shkak të dështimit politik dhe mungesës së vendimmarrjes institucionale, vendi po rrezikon seriozisht t’i humbasë këto mjete të jashtëzakonshme.

“BE-ja ishte gati, fondet ishin aty, por Kosova dështoi për shkak të mungesës së përgjegjësisë politike. Ekonomia e vendit nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng i krizave politike. Humbja e këtyre fondeve është një dështim serioz që po e paguajnë bizneset dhe qytetarët,” thuhet në reagimin e AKB-së.

Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon veprim të menjëhershëm politik, konstituivin pa vonesë të institucioneve, si dhe miratimin urgjent të Planit të Rritjes dhe buxhetit të vendit.

“Bizneset po humbin. Qytetarët po paguajnë. Politika duhet të veprojë tani,” ka deklaruar Agim Shahini, kryetar i AKB-së. /Kosova.info/


Go to TOP