Këshilltari i Osmanit e quan shpifës artikullin e FAZ-it për presidenten
Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Rinor Nuhiu e ka cilësuar shpifës dhe përgojues artikullin e gazetarit Michael Martens në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), ku ka atakuar presidenten e vendit.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Nuhiu ka theksuar se pretendimet e Martens përbëjnë shpifje, fyerje dhe përhapje të dezinformatave, të cilat sipas tij, janë të dënueshme sipas legjislacionit gjerman.
“Shpifja dhe përgojimi, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme të dukshme nga Michael Martens (i njohur edhe si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman. Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit”, ka shkruar Nuhiu.
Ai tutje ka thënë se presidentja Osmani po konsultohet me avokatë në Gjermani, me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe vendit që ajo drejton.
Në numrin e sotëm, gazeta gjermane ka botuar një artikull analitik të gazetarit Martens, e ku thuhej se presidentja Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë, duke u prezantuar si “kandidatja e Trumpit”. /Kosova.info/
Defamation and slander, the unfounded allegations and demonstrably false claims by Michael Martens (aka Andric1961) are subject to civil and criminal liability under German law. President Osmani categorically rejects his defamatory claims and his dangerous dissemination of…
— Rinor Nuhiu (@RinorNuhiu) February 4, 2026
