“Sot shkruhet historia e LDK-së” – Florim Zeqa u bën thirrje delegatëve për kthesë historike në Kuvendin Zgjedhor

Në prag të Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kandidati për kryetar të kësaj partie, Florim Zeqa, ka drejtuar një mesazh të fuqishëm dhe thirrje publike ndaj delegatëve duke e cilësuar ditën e sotme si moment historik për të ardhmen e LDK-së.

“Sot shkruhet historia e LDK-së”, thekson Zeqa duke u bërë thirrje delegatëve që të shfrytëzojnë, sipas tij, rastin historik për ta bërë “kthesën e madhe” në parti. Ai kërkon shkarkimin e kryetarit aktual, të cilin e cilëson si të dështuar, si dhe votim të fshehtë dhe demokratik për hapjen e një epoke të re në LDK.

Zeqa prezantohet si veprimtar i orëve të para të LDK-së dhe si përfaqësues i frymës rugoviane duke u zotuar për rikthimin e vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar partia. Ai e përshkruan veten si “shpirt të pastër me vizion të qartë rugovian” duke kërkuar mbështetjen e delegatëve për drejtimin e LDK-së.

Sipas tij, kandidatura e tij përfaqëson dashurinë e pakufishme për LDK-në, dijen, guximin dhe forcën e veprimit, si dhe mbështetjen e gjerë të elektoratit rugovian, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë.

“Të dashur delegatë, në dorën tuaj është fati dhe e ardhmja e LDK-së. Sot do të hyni në histori – hyni për të mirë e jo për të keq”, përfundon mesazhin e tij Florim Zeqa. /Kosova.info/

Go to TOP