Zemaj alarmon: Shëndetësia në kolaps institucional, kërkon hetim të pavarur dhe dorëheqje
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes në sektorin e shëndetësisë duke e cilësuar atë si në nivelin më të ulët të përgjegjësisë institucionale.
Sipas Zemajt, degradimi i shëndetësisë gjatë këtij mandati qeverisës ka prodhuar pasoja afatgjata, të cilat do të jenë të vështira për t’u riparuar. Ai thekson se skandalet dhe aferat po përsëriten çdo ditë, ndërsa mungon llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale.
Zemaj ka ngritur shqetësimin edhe për pozitën e profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mjekësor, të cilët, sipas tij, po përballen me presion të papranueshëm nga klika qeverisëse duke u cenuar dinjiteti profesional dhe duke u hapur rrugë abuzimeve në emër të shëndetësisë.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Kërkohet hetim i plotë dhe i pavarur për të gjitha këto afera. Dorëheqjet janë veprimi më i paktë që duhet të ndërmerret nga përgjegjësit,” ka deklaruar Zemaj.
Ai ka theksuar se shëndetësia është shërbim jetik për qytetarët dhe nuk duhet të shndërrohet në mjet abuzimi për interesa personale apo të parapolitikës partiake. /Kosova.info/
