KOMF alarmon: Pretendimet për “shërimin” e autizmit janë mashtruese dhe të rrezikshme për fëmijët

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë dhe indignim lidhur me raportimet në media se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.

Në reagimin e tij, KOMF ka ngritur alarmin dhe u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për të ndaluar dhe ndëshkuar veprime të tilla, të cilat vlerësohen si të paligjshme dhe të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.

KOMF ka reaguar gjithashtu ndaj përhapjes së pretendimeve të pabazuara shkencërisht, të cilat autizmin e paraqesin si një gjendje që mund të “shërohet”. Sipas koalicionit, qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, pasi devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve me autizëm, si mbështetja profesionale, ndërhyrjet e strukturuara, mjediset stimuluese dhe shërbimet e bazuara në evidencë shkencore.

Sipas KOMF-it, promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm të drejtpërdrejtë duke krijuar pritshmëri joreale duke shtuar stigmatizimin e fëmijëve me autizëm dhe presionin mbi familjet e tyre, si dhe duke nxitur keqkuptime për nevojat reale të këtyre fëmijëve.

Koalicioni ka theksuar urgjencën e informimit të përgjegjshëm, përmirësimin e politikave publike dhe investimin në kapacitete dhe shërbime që fuqizojnë fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Sipas KOMF-it, vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm.

Në fund, KOMF ka theksuar se çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë. /Kosova.info/

Go to TOP