​KEK-u padit Janina Ymerin e LDK-së

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar opinionin publik se ka parashtruar padi ndaj znj. Janina Imeri, e cila aktualisht është në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë, në kuadër të veprimeve ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional.

Sipas njoftimit, KEK ka konstatuar se znj. Imeri, në mënyrë të vazhdueshme, ka shpërndarë informata të pasakta, propaganduese dhe të pavërtetuara lidhur me prodhimin e energjisë elektrike duke krijuar konfuzion te opinioni publik dhe duke tentuar t’i atribuojë Korporatës përgjegjësi që nuk i përkasin. Në paraqitjet e saj të fundit, ajo ka denigruar edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e KEK sh.a., veprime këto që, sipas Korporatës, përbëjnë shkelje të standardeve profesionale dhe etike të komunikimit publik.

KEK sh.a. thekson se kjo sjellje është e dëmshme për imazhin institucional dhe nuk mund të tolerohet. Duke qenë e bindur në korrektësinë e plotë të njoftimeve të bazuara në të dhëna zyrtare dhe duke besuar në funksionimin e shtetit ligjor, Korporata ka vendosur ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore.

Tutje, KEK njofton se edhe në të ardhmen, në çdo rast të keqinformimit tendencioz, do të parashtrojë padi pranë organeve kompetente të drejtësisë, me qëllim të përcaktimit të qartë se kush po çorienton opinionin publik dhe për çfarë qëllimesh.

Në funksion të ndalimit të përhapjes së dezinformatave, KEK sh.a. ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo masë raportimi, përfshirë raportimin e profileve në rrjetet sociale, si dhe çdo veprim tjetër ligjor të nevojshëm. Çdo përpjekje për denigrimin e punonjësve apo përfaqësuesve të Korporatës, thuhet në njoftim, do të ndiqet ligjërisht.

KEK sh.a. thekson se nuk ekziston asnjë pengesë për qasje në informatat zyrtare, të cilat janë publike, transparente dhe të qasshme për të gjithë përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës. Të dhënat e prodhimit, sipas KEK-ut, janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme edhe me të dhënat publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT.

Në përmbyllje, KEK sh.a. riafirmon përkushtimin e saj ndaj transparencës, informimit të saktë të opinionit publik dhe mbrojtjes së integritetit institucional dhe profesional të punonjësve të saj. /Kosova.info/


Go to TOP