Surdulli kritikon Abdixhikun: LDK ka nevojë për kryetar unifikues, jo ndarës
Anëtari i LDK-së nga Kamenica, Shaip Surdulli, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me keqpërdorimet e votave brenda subjektit politik duke e akuzuar atë për ndarje dhe humbje të qëllimit politik.
Surdulli shprehet se pajtohet plotësisht me parimin se vota duhet mbrojtur pa kompromis, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda partisë, dhe se keqpërdoruesit duhet të përballen me përgjegjësi ligjore dhe partiake. Megjithatë, ai e kritikon Abdixhikun për, siç thotë, diferencimin e panevojshëm të gjeneratave brenda LDK-së.
Sipas Surdullit, përkrahja për të rinjtë është e natyrshme dhe pikërisht për këtë arsye Abdixhiku ishte votuar si kryetar, por pa u njohur mjaftueshëm nga strukturat. “Ju jeni kryetar i të gjithëve. LDK nuk ka njerëz tepër që të bëhen diferencime”, thekson ai.
Ai shton se kjo logjikë përçarëse ka qenë e pranishme që nga fillimi i udhëheqjes së Abdixhikut dhe paralajmëron se mbështetja formale e delegatëve të Kuvendit të LDK-së nuk e zëvendëson legjitimitetin moral për të udhëhequr partinë.
“LDK ka nevojë për një kryetar më unifikues, që e rrit subjektin politik dhe jo e dobëson atë”, shprehet Surdulli duke vënë në pikëpyetje aftësinë e Abdixhikut për të udhëhequr partinë në këtë fazë.
Në fund, ai ngre një pyetje të drejtpërdrejtë për kryetarin e LDK-së: “Kush janë ata që, sipas jush, e kanë gërryer partinë nga brenda?” duke kërkuar qartësi dhe përgjegjësi në deklarimet publike.
Reagimi i Surdullit vjen në kohën kur brenda LDK-së janë shtuar debatet dhe tensionet rreth procesit zgjedhor, përgjegjësisë politike dhe drejtimit të ardhshëm të partisë. /Kosova.info/
