Fushatë informuese në Vërmicë për targa të huaja

Në pikën kufitare të Vërmicës ka filluar fushata informuese për qarkullimin e automjeteve me regjistrim të huaj në territorin e Kosovës. Fushata do të zgjasë dy muaj, ndërsa zbatimi strikt do të nisë më 15 mars, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga data 16 janar 2026, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nisur fushatën informuese për zbatimin e Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete për ata që shfrytëzojnë hyrjet në pikat kufitare me Kosovën. Një kampanjë e tillë ka nisur nga e premtja edhe në Vërmicë.

Jo të gjithë udhëtarët janë të njohur me këtë ligj të ri për qarkullimin e automjeteve me targa të huaja.

“Normalisht mirë e kemi pritur çdo ligj që është i Kosovës dhe e mirëpresim. Nuk qarkullojmë shpesh në Kosovë, vetëm gjatë pushimeve kur vijmë. Nuk na pengon, është ligj i shtetit tonë”, thekson një qytetar.

“Jo, nuk jemi të njoftuar fare. Çka të vjen me ligj, nuk kemi kujt t’i ikim dhe e mirëpresim. Në Kosovë jetojmë, por punojmë në Slloveni”, tha një qytetar tjetër.

“Nuk jam i informuar. Tri herë në vit vijmë dhe punojmë në Slloveni”, nënvizoi një qytetar.

Pensionistët që kanë punuar me dekada në vendet evropiane thonë se e kanë më të vështirë të pranojnë një ligj të ri, ndryshe nga ai që ka funksionuar deri më tani.

“S’e di, në këtë tokë jemi. I kemi telefonat dhe pak po tregojnë. Tash jam në pension dhe vij në Kosovë më shpesh. Nuk po pengon kjo, por kështu nuk po je i lirë”, tha Shehri Morina nga Zvicra.

Kjo fushatë synon vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me procedurat ligjore që duhet të ndiqen me rastin e hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës, si dhe me rregullat që ndërlidhen me drejtimin e automjeteve në territorin e vendit tonë. Fushata do të zgjasë deri më 15 mars 2026.

Pas kësaj date fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartpërmendura.

Qytetarët e Kosovës dhe vizitorët e huaj që qarkullojnë me automjete të regjistruara jashtë vendit duhet të jenë të vetëdijshëm për rregullat e reja që hyjnë në fuqi më 15 mars 2026, njofton MPB.


Go to TOP