Kabashi: Manipulimi i votës është krim elektoral, kërkohet rinumërim i plotë në gjithë Kosovën
Festim Kabashi, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në procesin zgjedhor duke i cilësuar ato si krim elektoral të organizuar.
Sipas Kabashit, nuk ka asnjë justifikim apo arsyetim për ndërhyrjen në vullnetin e qytetarëve, ndërsa thekson se prekja e votës përmes komisionarëve përbën hajni të pastër dhe të qëllimshme.
“Komisionarët nuk vjedhin vetë. Sidomos jo duke tjetërsuar mijëra vota. Kjo dëshmon për një skemë të organizuar manipulimi,” ka deklaruar Kabashi.
Ai ka kërkuar që hapi i parë urgjent të jetë rinumërimi i votave në të gjithë Kosovën, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Paralelisht, Kabashi ka bërë thirrje që Prokuroria të veprojë pa vonesë ndaj të gjithë personave të përfshirë në manipulimin e votës dhe në cenimin e vullnetit të qytetarëve.
“Manipulimet që po dalin në pah janë zbuluar vetëm falë procesit të rinumërimit, i cili fatmirësisht mund të verifikohet. Kjo tregon se sa e domosdoshme është transparenca e plotë,” ka përfunduar ai.
Kabashi thekson se mbrojtja e votës është thelbësore për demokracinë dhe se çdo përpjekje për ta deformuar atë duhet të ndëshkohet pa kompromis. /Kosova.info/
