Shala (PDK): Rënia e njësisë B2 në KEK alarmon sigurinë energjetike dhe rrit presionin mbi çmimet
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar pas rënies së njësisë B2 në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), e cila ka ndodhur sot, më 18 janar 2026 duke larguar nga sistemi mbi 250 MWh energji elektrike pa asnjë paralajmërim.
Sipas Shalës, kjo nuk mund të konsiderohet më një ngjarje e rastësishme, por pasojë direkte e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale në sektorin energjetik. Ai thekson se rëniet e tilla të paplanifikuara po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe po e dëmtojnë rëndë stabilitetin e sistemit energjetik të vendit.
“Çdo rënie e njësive krijon krizë në treg, veçanërisht kur ndodhin rënie të paplanifikuara si kjo e sotmja. Këto situata rrisin çmimet e energjisë dhe u japin tregtarëve hapësirë të diktojnë kushtet, ndërsa qytetarët janë ata që paguajnë pasojat,” ka deklaruar Shala.
Ai ka kritikuar institucionet për heshtje dhe mungesë reagimi duke shtuar se investimet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat dhe se siguria energjetike e Kosovës po dobësohet dita-ditës. Sipas tij, pa reforma serioze, transparencë dhe llogaridhënie, krizat energjetike do të vazhdojnë.
“Nëse kjo qasje nuk ndryshon, rritja e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët është e pashmangshme,” ka përfunduar Shala duke kërkuar përgjegjësi konkrete dhe veprime urgjente për stabilizimin e sektorit energjetik. /Kosova.info/
